Ndëshkohen marketet për çmime të ndryshme në raft dhe arkë

 

Komuna e Gjilanit, përmes faqes së saj zyrtare, ka bërë të ditur se inspektorët komunalë kanë ndërmarrë aksione kontrolli në markete, pas ankesave të konsumatorëve për mospërputhje të çmimeve ndërmjet atyre të shënuara në raft dhe atyre që paguhen në arkë.

Ky aksion, që po zhvillohet në një periudhë me fluks më të madh të konsumatorëve për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, ka rezultuar me gjobitjen e disa bizneseve që kanë shkelur rregullat. Në disa raste, çmimet në raft ishin më të ulëta sesa ato që aplikoheshin në arkë.

Drejtoria e Inspeksionit ka njoftuar se janë shqiptuar gjoba në vlerë prej rreth 400 euro ndaj bizneseve që u kapën në shkelje dhe ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë.

Ky veprim është mirëpritur nga konsumatorët, të cilët shpeshherë përballen me raste të tilla mashtrimi dhe kërkojnë mbrojtje institucionale.

“Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo rast të tillë,  çdo ankesë do të trajtohet me seriozitet,” thuhet në njoftimin e komunës.

 

 

Shpërndaj me të tjerët