Në “Fadil Vokrri” për të pamundurën, Kosova sfidon Zvicrën me shpresë e zemër

 

Kosova sonte, me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të përballet me Zvicrën, njërën nga kombëtaret më të forta të grupit.

Edhe pse “Dardanët” tashmë duket se janë pajtuar me vendin e dytë, vetëm një mrekulli ndaj helvetikëve do t’i mbante gjallë shpresat për kualifikim të drejtpërdrejtë në Botërorin 2026.

Fitore me më shumë se pesë gola diferencë shihet pothuajse e pamundur, andaj trajneri Franco Foda ka bërë zgjedhje taktike.

Për të mos rrezikuar mungesat në “play-off”, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu sot do të jenë në tribunë.

Atje me ta do të bashkohen edhe Faton Maloku, Leart Sadriu dhe Meriton Korenica.

Trajneri Foda ka theksuar vendosmërinë e ekipit: “Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje.”

Zvicra shkon pothuajse e sigurt drejt “Botërorit”, por sfida e sotme në Prishtinë pritet të sjellë emocione të forta, sidomos pas paraqitjeve dinjitoze të Kosovës që nga humbja e parë në transfertë si kundër edhe shqiptarëve që luajnë për ekipin zviceran.

Për qendërmbrojtësin Albian Hajdari, kjo ndeshje ka edhe peshë të veçantë emocionale: “Për mua është një përballje speciale. Do të doja që kjo të ishte finale për vend të parë, por matematika na lejon ende të besojmë.”

 

 

Shpërndaj me të tjerët