Në Gjilan mbahet Edicioni i dytë i Festivalit Folklorik të Valleve për Fëmijë “Ardhmëria Jonë”

 

Në Gjilan mbahet Edicioni i dytë i Festivalit Folklorik të Valleve për Fëmijë “Ardhmëria Jonë”

Për dy ditë me radhë, në Gjilan do të zhvillohet Festivali Folklorik i Valleve për Fëmijë “Ardhmëria Jonë”, i cili do të mbahet në Teatrin e Qytetit.

Lajmin e ka bërë të ditur Lorikë Sulejmani, drejtoreshë e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Karadaku” – Gjilan.

Ajo ka njoftuar se më 22 dhe 23 nëntor, në Teatrin e Qytetit – Gjilan, me fillim nga ora 13:00, do të mbahet ky festival i dedikuar fëmijëve.

“Festivali ka për qëllim të promovojë trashëgiminë tonë kulturore përmes performancave të fëmijëve nga ansamble të ndryshme, të cilët me talentin e tyre e bëjnë këtë ngjarje edhe më të veçantë”, ka thënë ajo, duke shtuar se prania e publikut dhe pjesëmarrësve do ta nderojë aktivitetin dhe do të jetë mbështetje e rëndësishme për artin dhe traditën tonë.

Ky festival realizohet me mbështetjen e Zyrës së Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, si dhe me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilat përmes angazhimit të tyre afirmojnë rëndësinë e investimit në kulturë, art dhe edukimin artistik të fëmijëve.

Një festival që sjell në skenë traditën, kulturën dhe energjinë e fëmijëve tanë, brezi që mban gjallë trashëgiminë kombëtare.

Përmes festivalit “Ardhmëria Jonë”, jo vetëm që ruhet tradita, por krijohet një hapësirë e sigurt dhe motivuese ku fëmijët shprehin kreativitetin, vlerat dhe identitetin kombëtar.

“Përkrahja institucionale nga Komuna e Gjilanit dhe MKRS dëshmon se kultura mbetet një nga shtyllat e zhvillimit dhe të së ardhmes sonë të përbashkët. Ejani të përjetojmë së bashku vallet tona autoktone dhe talentin e fëmijëve, sepse ata janë e ardhmëria jonë”! thuhet ne njoftimin e kësaj shoqëria kulturo-artistike.

 

Shpërndaj me të tjerët