Në Gjilan shënohet Dita Botërore e Shkrimit Braille

 

Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve organizoi aktivitet për barazi, edukim dhe përfshirje sociale

Në Shoqatën Ndërkomunale të të Verbërve (ShNV) në Gjilan është mbajtur një aktivitet për nder të Ditës Botërore të Shkrimit Braille, e cila shënohet më 4 janar, në datën e lindjes së krijuesit të këtij sistemi shkrimi, Luis Braille.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i shoqatës, Bajram Spahiu, i cili theksoi rëndësinë e kësaj dite për promovimin e barazisë, edukimit dhe komunikimit për personat e verbër.

Sipas tij, mesazhi kryesor i aktivitetit ishte:

“Barazi për të gjithë, sepse Zoti na ka falur të barabartë. Andaj, hajde të lexojmë ndryshe e të edukohemi njëjtë.”

Alfabeti Braille është krijuar nga pedagogu francez Luis Braille (1809–1852) dhe bazohet në sistemin e gjashtë pikave, i cili ua lehtëson personave të verbër shkrim-leximin dhe komunikimin.

Ky sistem u përdor për herë të parë në vitin 1829, ndërsa libri i parë në Braille u botua në vitin 1837. Sot, alfabeti Braille përdoret në mbarë botën, i përshtatur sipas veçorive të gjuhëve të ndryshme.

Alfabeti shqip në Braille është përgatitur nga Dilaver Zgjani dhe Liri Kamberi, ndërsa është miratuar zyrtarisht në vitin 1963 nga Ministria e Arsimit në Shqipëri.

Spahiu theksoi se, ndonëse kjo ditë shënohet gjerësisht në vendet evropiane, në Kosovë aktivitete të tilla po marrin hov sidomos në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë.

Ai shprehu shpresën që Drejtoria e Arsimit dhe Drejtoria e Kulturës ta përfshijnë këtë ditë në agjendat zyrtare, duke organizuar aktivitete të përbashkëta me shoqatën.

Megjithatë, sipas tij, mungesa e buxhetit të mjaftueshëm ka ndikuar në interesimin më të ulët për aktivitetin.

Shpërndaj me të tjerët