Në Stacionin Policor të Parteshit është përuruar “Dhoma Mike”, investim i KFOR-it Amerikan, e cila do të shërbejë për intervistimin dhe mbështetjen e viktimave të dhunës në familje.
Në ceremoni morën pjesë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Remzi Azemi, zëvendëskomandanti i KFOR-it për rajonin e Lindjes, nënkolonel Nicholas Acosta, përfaqësues nga KFOR-i, stafi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, si dhe kryetari i Komunës së Parteshit.
Zëvendësdrejtori Azemi falënderoi KFOR-in për këtë donacion të rëndësishëm, që sipas tij do të krijojë kushte optimale dhe më humane për viktimat. Edhe nënkolonel Acosta e vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, duke theksuar gatishmërinë për mbështetje të mëtejme.
Ky investim, që përfshin renovimin dhe pajisjen e hapësirës me mobilie e teknologji të reja, synon të krijojë një ambient të sigurt, të rehatshëm dhe mbështetës për viktimat, duke forcuar mekanizmat kundër dhunës në familje.