Në prag të Ramazanit, të rinjtë gjilanas sjellin atmosferë feste në qendër të qytetit

“Dera e Xhennetit”,  të rinjtë gjilanas shpërndajnë ëmbëlsira në prag të Ramazanit

Në ditët para fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, një grup të rinjsh nga Gjilani kanë organizuar një aktivitet simbolik dhe domethënës në qendrën e qytetit, duke shpërndarë ëmbëlsira, ujë dhe materiale informuese për qytetarët.

Këtë aktivitet e ka bërë të ditur Dardan Veselu, një nga organizatorët kryesorë, i cili ka theksuar se gëzimi për ardhjen e Ramazanit nuk mund të mos shprehej edhe në zemër të qytetit.

“Gëzimi për ardhjen e Ramazanit nuk mund të mos shprehej edhe në qendrën e qytetit tonë. Aktiviteti i sotëm, i organizuar tashmë prej disa vitesh dhe i përkrahur nga aktivistë të zellshëm rinorë, është një kumtesë e bukur për fillimin e një muaji të begatë, plot mëshirë, falje dhe afrimitet me Allahun”, ka thënë Veselu.

Nën titullin domethënës “Dera e Xhennetit”, të rinjtë gjilanas synuan ta bartin mesazhin e shpresës, dritës dhe gëzimit në qendrën e Gjilanit.

Me buzëqeshje, përkushtim dhe dashuri, u shpërndanë ëmbëlsira, pije dhe materiale informuese për Ramazanin, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive që i dha gjallëri qytetit.

Sipas organizatorëve, ky aktivitet nuk ishte vetëm një shpërndarje simbolike, por një ftesë e hapur për reflektim, pastrim shpirtëror dhe afrimitet mes njerëzve.

Ramazani, si muaj i solidaritetit, bashkimit dhe përkujdesjes për tjetrin, u reflektua qartë në këtë iniciativë rinore.

Pamjet e gëzimit, fjalët e mira dhe interesimi i qytetarëve dëshmuan se ky muaj i bekuar jeton fuqishëm në zemrat e njerëzve dhe se çdo vit ka hapësirë për më shumë mirësi, dritë dhe dashuri në shoqëri.

Në përmbyllje, organizatorët kanë falënderuar të gjithë donatorët që e mbështetën këtë aktivitet:

Kimi – Pastiqeria
Ëmbëltore “GOGI”
Pastiqeria “Bujana”
Uji “Dea”
Rondom Design
Metro Reklama
Tenda “Noli”

“Zoti i shpërbleftë me të mira të shumëfishta për bujarinë dhe përkrahjen e tyre”, thuhet në mesazhin përfundimtar të organizatorëve.

Shpërndaj me të tjerët