Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt fokus grupi në kuadër të projektit AUREA, që synon të mbështesë njohjen automatike për studentët e mobilitetit të krediteve, duke identifikuar pengesat, analizuar opsionet ekzistuese dhe duke ofruar rekomandime politike për të ardhmen e njohjes automatike.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Prof. Asoc. Dr. Voglushe Kurteshi Prorektore për Zhvillim Akademik dhe Cilësi e cila theksoi rëndësinë e projekteve evropiane në avancimin e proceseve akademike dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ajo vuri në pah përkushtimin e universitetit për të përmirësuar mekanizmat e njohjes së krediteve dhe për të lehtësuar mobilitetin e studentëve.
Fjalë përshëndetëse në lidhje online mbajti edhe znj. Mimika Dobroshi nga Zyra Erasmus+ në Kosovë, e cila theksoi rëndësinë e harmonizimit të praktikave të njohjes së krediteve me standardet evropiane dhe rolin e iniciativave si Erasmus+ dhe Procesi i Bolonjës në këtë drejtim.
Në vijim, znj. Luljete Berisha, udhëheqëse e Projektit AUREA në UKZ, prezantoi objektivat dhe komponentët kryesorë të projektit, duke theksuar se AUREA synon të kontribuojë në arritjen e njohjes së plotë dhe automatike të krediteve, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.
Gjatë sesionit të prezantimeve Betim Berisha nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare paraqit praktikat e mobilitetit në situaten aktuale në UKZ.
Në këtë organizim, përpos stafit akademik e administrativ të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga Universitetit i Prizrenit, nga Universiteti i Gjakovës dhe IBCM, të cilët prezantuan praktikat dhe sfidat nëpër universitetet e tyre sa i përket mobilitetit, duke ofruar njëkohësisht një pasqyrë krahasuese mbi proceset e njohjes së krediteve.
Nërkohë diskutimet u zhvilluan në tre sesione tematike:
Në Seksionin e parë, pjesëmarrësit diskutuan mbi perceptimet lidhur me kuptimin praktik të “njohjes së plotë të krediteve” dhe “njohjes automatike të krediteve” për studentët dhe institucionet e arsimit të lartë, si dhe mbi nivelin aktual të arritjes së këtij qëllimi në kontekst institucional, kombëtar dhe evropian.
Seksioni i dytë u fokusua në faktorët kryesorë pengues, ku u identifikuan sfidat institucionale, ligjore dhe administrative që ndikojnë në procesin e njohjes, përfshirë ndryshimet në hartimin e kurrikulave, sistemet e notimit, kornizat e sigurimit të cilësisë, si dhe çështjet e besimit dhe transparencës ndërmjet institucioneve.
Në Seksionin e tretë u trajtuan faktorët mundësues, duke identifikuar masa institucionale, rregullat teknike dhe politike që mund të mbështesin zbatimin e njohjes së plotë dhe automatike të krediteve. U diskutua gjithashtu mbi përdorimin e mjeteve digjitale, si marrëveshjet online të mësimit dhe shkëmbimi i transkripteve, si mekanizma lehtësues të procesit.
Takimi u përmbyll me një diskutim reflektues mbi përfitimet që sjell njohja e plotë dhe automatike për studentët dhe institucionet, si dhe mbi rreziqet e mundshme që duhet të merren në konsideratë. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga iniciativat evropiane në funksion të avancimit të këtij procesi.
Partnerë të projektit AUREA, që financohet nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+, janë udhëheqës European Students’ Union (ESU), ndërsa partnerë tjerë janë Erasmus Student Network (ESN), European University Foundation (EUF), European University Association (EUA), Eotvos Lorand Tudomanyegyetem (ELTE), Universiteit Gent (UGENT), Philipps Universität Marburg (UMarburg) dhe Universiteti Publik Kadri Zeka (UKZ).

