Në veprimtarinë e tretë të “Vjeshtës letrare të Gjilanit”
Të shtunën, më 1 nëntor 2025, në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan, do të mbahet veprimtaria e tretë e edicionit të 16-të të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, kushtuar portretit letrar të shkrimtarit Jusuf Buxhovi.
Jusuf Buxhovi është njëri ndër emrat më të njohur të letërsisë bashkëkohore shqiptare, fitues i Çmimit Letrar “Beqir Musliu”, çmimi më prestigjioz që jep Komuna e Gjilanit për vlera të mirëfillta letrare dhe për autorë që kanë rrumbullakësuar një krijimtari të pasur artistike e intelektuale.
Për veprën e tij të gjerë si tregimtar, romansier, historian dhe publicist, pritet të flasin prof. dr. Anton Nikë Berisha, Ibrahim Kadriu, Shefqet Dibrani, Kaltrinë Berisha, Nexhat Rexha, Arsim Halili dhe Blinera Hajdari.
Me deklamime dhe fragmente nga proza e Jusuf Buxhovit do të paraqiten Linditë Ramushi Dushku dhe Arbisë Krasniqi, ndërsa vetë shkrimtari Jusuf Buxhovi do t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalë rasti.
Veprimtarinë do ta udhëheqë shkrimtari Sabit Rrustemi, drejtues i Ars Clubit “Beqir Musliu”, me mbështetjen e paralajmëruar të institucioneve kulturore.
Pjesëmarrësit në këtë ngjarje do ta marrin si dhuratë numrin 47 të revistës letrare “Agmia”, i cili, sipas traditës, i kushtohet fituesit të Çmimit “Beqir Musliu”.
Botimi është mbështetur nga MKRS, përmes Departamentit të Kulturës, në kuadër të thirrjes publike për vitin 2025.
Krijuesit dhe artdashësit janë të mirëseardhur!

