Nënë e fortë dhe profesoreshë frymëzuese

Një figurë e shquar e arsimit dhe e jetës
Profesoresha Lindita Nebiu Hyseni nuk është vetëm një emër i respektuar në Universitetin “Kadri Zeka” dhe në fushën e Shkencave Kompjuterike, por edhe një nënë me kurajë të jashtëzakonshme.

Me profesionalizëm, përkushtim dhe dashuri për dijen, ajo ka ndërtuar një rrugë të pasur akademike dhe një profil të admirueshëm, ndërsa në jetën personale përballet me sfida të mëdha që shumë nuk mund t’i imagjinonin.

Një rrugë që nisi nga pasioni dhe këshilla e familjes
Si e re, Lindita e kishte dashur pikturën dhe mendonte ta ndjekë këtë pasion, por këshilla e babait e ndryshoi rrugën.

Ai i sugjeroi të vazhdonte në Shkencat Kompjuterike, duke i treguar perspektivën e madhe që kjo fushë ofronte.

Ajo përfundoi Shkollën e Mesme “Mehmet Isai” në drejtimin Elektroteknikë e Kompjuterëve, për të vazhduar më pas studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, të cilin e mbaroi me sukses dhe brenda afatit.

Karrierën akademike e vazhdoi me studimet e magjistraturës në drejtimin Zhvillim i Softuerit dhe Aplikacioneve, ndërsa më vonë e kurorëzoi me Doktoraturën në drejtimin e-Teknologji, duke ndërtuar kështu një profil të plotë dhe të qëndrueshëm profesional.

Profesionale dhe e përkushtuar
Si ligjëruese në UKZ, Lindita ndihet e bekuar që mund të kontribuojë te gjeneratat e reja.

Ajo thotë se suksesi i studentëve matet nga përkushtimi dhe nga aftësia për të aplikuar njohuritë në jetë dhe punë.

Me projekte që lidhen edhe me Bashkimin Evropian dhe SHBA, studentët e saj tregojnë potencialin e jashtëzakonshëm kur ka udhëheqës dhe mentorë të përkushtuar.

Një sfidë më e madhe,  të qenit nënë e një djali autik
Por ajo që e bën Linditën vërtet të jashtëzakonshme është forca e saj si nënë.

Djali i saj, i diagnostikuar me autizëm në moshën 2 vjeç e 8 muaj, ka qenë një sfidë e madhe që kërkon durim, vëmendje dhe angazhim 24/7.

Djali nuk reagonte në emër, luante vetëm me rrotat e veturave dhe kamionëve, dhe disa aftësi që më parë i kishte humbur.

Sot, në moshën 11-vjeçare, çdo hap i vogël përpara është rezultat i punës së përditshme dhe dashurisë së pafund të nënës.

Lindita nuk e ka ndjekur këtë rrugë vetëm; mbështetja e familjes dhe veçanërisht e bashkëshortit ka qenë kyç.

Ajo punon me metodologji të posaçme dhe viziton qendrat për mbështetje, duke mos hequr dorë asnjëherë.

Ndihma shtetërore është minimale, vetëm 120 euro në muaj, një shumë e pamjaftueshme krahasuar me nevojat reale të këtyre fëmijëve.

Komuna e Gjilanit ka kontribuuar duke ndarë fonde për Qendrën “Pema”, që ofron trajtime të specializuara, përfshirë dhomën senzorike dhe metodën Tak-Pak, një qasje unike që nuk gjendet në asnjë vend tjetër në Kosovë përveç Gjilanit.

Për Linditën, çdo sfidë me djalin autik është një mundësi për të treguar dashuri, durim dhe shpresë.

Ajo është shembull i jashtëzakonshëm se një nënë mund të përballojë çdo pengesë dhe të gjejë forcë të re çdo ditë, duke i dhënë fëmijës së saj mundësinë për të zhvilluar potencialin e tij maksimal.

Mesazhi për të gjitha nënat
Lindita tregon se nuk ka sekret tjetër veç durimit, punës dhe besimit te Zoti.
Ajo inkurajon çdo nënë që përballet me sfida të ngjashme: mos hiq dorë, mos dorëzo, sepse dashuria dhe përkushtimi bëjnë mrekulli.

Kur një nënë kupton se ka një fëmijë autik, kjo nuk duhet ta ndalë në punë, përkundrazi.
Puna dhe angazhimi profesional bëhen mbështetje jetike, jo vetëm për aspektin financiar që mundëson trajtimin e fëmijës, por edhe për të ruajtur stabilitetin emocional dhe forcën për t’u përballur me sfidat e përditshme.

Punë, dashuri dhe durim shkojnë dorë për dore në këtë rrugëtim, duke e bërë nënën një shembull të jashtëzakonshëm guximi dhe përkushtimi.

Rruga e suksesit
Historia e Linditës është një kujtesë e fuqishme se suksesi nuk matet vetëm me tituj akademikë, por edhe me guximin, durimin dhe dashurinë që investon te fëmijët dhe te studentët.

Ajo është nënë, profesoreshë dhe frymëzim i vërtetë,  një shembull se çdo pengesë mund të kapërcehet me zemër dhe me besim te vetja.

 

 

Shpërndaj me të tjerët