Shkruan: Emin Selimi
Pjesa e dytë
Mobilizimi do të ndodhë edhe në fshatin Bresalc edhe në familjen Selimi. Nga Bresalci do të mobilizohen qindra burra e disa prej të cilëve nuk do të kthehen të gjallë e të tjerë do qëndrojnë në vise të ndryshme të Jugosllavisë nga 2-4 vite.
Mobilizimi to të aplikohet në gjithë Kosovën pra edhe në Anamoravë e Gjilan. Në librin e Dr. Hakif Bajramit “ Masakra e Tivarit” F. 175 paraqet edhe mënyrën e mobilizimit në Gjilan e rrethinë…. “ I njëjti skenarë, parashihte koncentrimin e shqiptarëve në territorin e Gjilanit.
Prej këtij territori pas shumë torturave e krimeve masive, deri më 19 janar 1945 gjithandej kishin mobilizuar mbi 3100 shqiptar.
Gjithë shqiptarët para se të niseshin për drejtimin Gjilan- Nish-Srem, u ndanë në dy eshalone”.
Nga familja Selimi kemi njohuri për mobilizimin e 6 djemve , 4 ishin të një shtëpie , 4 djemtë e Sherif Bektesh Selimit: Rifat Sherif Selimi 1919 , Isuf Sherif Selimi 1921, Faik Sherif Selimi 1923 dhe Zahir Sherif Selimi 1926. Ndërsa nga familja e Adilit Islam Selimi dhe Sabit Ramadan Selimi. Mobilizimi u bë me 15 janar 1945 fillimisht vendosën në Gjilan e më pas do të dërgohën në vise të ndryshme të Jugosllavisë deri në Slloveni.
Rrugëtimi është bërë kryesisht këmbë ose me barkë ku duhej kaluar nëpër det. Ishte një udhëtim tepër i vështirë nëpër terrene të rrezikshme dhe shumë prej tyre do të vdesin nga lodhja, sëmundjet por edhe shumë do vriten nga përcjellësit e tyre me pretekste shpesh banale e sidomos me pretekstin e tentimit për dezertim.
Si duket njëri nga vëllezërit që në fillim do të ndahet për të u dërguar në frontin e Sremit ndërsa të tjerët do vazhdojnë së bashku rrugëtimin.
Të mobilizuarit nuk ishin të përgatitur me paisje ushtarake por me rroba e mbathje civile.
Si më tregonte babai Zahiri për vëllaun Isufin të cilit posa mbërrimë mbi Suharekë iu shqyen opingat dhe mbeti zbathur, më vonë gjeti një palë nallane dhe vazhdoi rrugën.
Pati raste edhe të ikjes së pjesëtarëve të mobilizuar njëri nga ta ishte Rifat Selimi i cili diku nga rrethina e Kukësit arratiset dhe pas një kohe është kthyer në shtëpi.
Por në shtëpi nuk u kthye kurrë Faik Selimi i cili ishte dërguar me Brigadën e VII në Kikindë.
Sipas informacionit të Kryqit të Kuq më vonë, pas kërkesës së familjes , familja është njohtuar se Faik Selimi më 24 prill1945 ka vdekur nga tifoja në spitalin e Zemunit ku edhe është varrosur.
Në letrën e dërguar në shtëpi babait Faiku përmend me emër edhe tre të mobilizuar nga Bresalci të cilët ishin me te Beqën dhe Muslinë e Mehës ,Bekën e Nazifit
Faiku herën e fundit është lajmëruar me një letër dërguar babait , letër e shkruar më 3 Prill 1945 ( tri javë para vdekjes ) nga Velika Kikinda ku sipas gjitha gjasave kishte qëndruar dhe nga Kikinda është dërguar në Zemun. Kjo mundë të vërtetohet edhe nga shkrimi I historianit DR. Qamil Gexha në punimin e tijë me titull –“ Brigada e VII e Kosovës “ botuar në revistën Kosova nr. 9-10, -Prishtinë 1980 ku përshkruhët rrugëtimi i brigadës.

Letra e fundit e shkruar babait Sherifit vetëm 21 ditë para vdekjes 3 Prill 1945

Letër e Faikut dërguar babait Sherifit e shkruar më 26 shkurt 1945
Të mobilizuar mbetën vëllezërit Isuf Selimi dhe Zahir Selimi të cilët për dy respektivisht katër vite do të detyrohen të shërbejnë në Ushtrinë Jugosllave edhe pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore e edhe luftës në Jugosllavi.
Isuf Selimi pas kalimit në Shkodër , Tivar ku kishte përjetuar tmerrin e masakrës së Tivarit por fati e shpëtoi nga ekzekutimi.
Pas Tivarit do te shkojë në Lubjanë por për shkak të molisjes nga udhëtimi sëmuret dhe 3-4 muaj dërgohet në spitalin e Postojnës .
Pas spitalit do të shërbej në Lubjanë rreth tri vite.
Nga spitali i është dhënë një dokument mbi invaliditetin dhe paaftësinë për punë , të drejtën e invaliditetit nuk e shfrytëzoi dhe jetën do ta përfundojë duke u marrë me bujqësi. /Vazhdon edhe pjesa e tretë/
(Autori është profesor i historisë dhe një nga shkruesit e fakteve historike të Monografisë së Gjilanit)

