Drita ka bërë detyrën në shtëpi, duke mposhtur Llapin me rezultat minimal 1:0, në kuadër të javës së 12të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Golin vendimtar për skuadrën gjilanase e realizoi Besnik Krasniqi në minutën e 33-të nga pika e bardhë, duke i dhënë epërsinë Dritës me rezultatin 1:0.
Megjithatë, hero i ndeshjes u bë edhe protagonist negativ në pjesën e dytë. Në minutën e 75-të, Krasniqi u ndëshkua me karton të kuq, pas një goditjeje të pakujdesshme ndaj Konjufcës, duke e lënë Dritën me 10 futbollistë.
Pas daljes së tij, skuadra e trajnerit Zekirija Ramadani u detyrua të mbyllej më shumë në mbrojtje, teksa Llapi kërkoi me ngulm barazimin.
Drita pati disa mundësi të mira për gol, sidomos përmes Ajvazajt, por pa arritur të konkretizojë. Në anën tjetër, edhe mysafirët nga Podujeva patën raste të rrezikshme në minutat e fundit, por pa sukses.
Në fund, Drita mori tri pikë shumë të vlefshme, duke arritur kuotën e 20 pikëve dhe duke u pozicionuar në vendin e tretë, tri më pak se i dyti dhe gjashtë më pak se lideri i tabelës.

