Nga improvizimet në klasa moderne: Nis ndërtimi i shkollës ‘Fan S. Noli’në Kamenicë

 

Pas më shumë se një viti ndërprerje, ka rifilluar ndërtimi i objektit të ri të shkollës 9-vjeçare “Fan S. Noli” në Kamenicë, me një intensitet të qëndrueshëm dhe të organizuar.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori komunal i Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi,  ku ka theksuar se punimet tashmë po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë.

Projekti, i cili kap vlerën prej 2.2 milionë euro, është investim i Ministrisë së Arsimit të Kosovës. Objekti i ri po ndërtohet për shkak se shkolla ekzistuese është tepër e vjetër dhe me kushte të rënda për zhvillimin e procesit mësimor.

Në ndërtesën e re do të përfshihen 27 dhoma mësimi, kabinete të specializuara, bibliotekë, kuzhinë, hapësira për parashkollorët dhe sallë të edukatës fizike. Sipas Dervishit, kjo do të jetë një nga shkollat më moderne në rajon.

Përfundimi i ndërtimit është planifikuar për shtatorin e vitit 2026, kur 350 nxënësit aktualë do të zhvillojnë mësimin në kushte shumë më të mira. Pas hapjes, shkolla do të funksionojë vetëm me një ndërrim, duke i dhënë fund mësimit me dy ndërrime dhe improvizimeve të deritanishme.

“Ky është një investim që ka qenë i domosdoshëm prej kohësh, pasi objekti ekzistues nuk i plotësonte më standardet për mësim”, ka deklaruar Dervishi.

Një investim me ndikim afatgjatë

Ndërtimi i shkollës “Fan S. Noli” nuk është vetëm një projekt infrastrukturor, por një hap i madh drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në komunën e Kamenicës. Me kushte moderne dhe hapësira funksionale, nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë në një ambient më të sigurt, më të rehatshëm dhe më motivues.

Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rritjen e performancës së mësimdhënies, krijimin e aktiviteteve të reja jashtëshkollore dhe ngritjen e standardeve arsimore. Për prindërit dhe komunitetin lokal, shkolla e re shihet si një arritje e madhe, e cila do të shërbejë për gjeneratat që vijnë.

Shpërndaj me të tjerët