Fillimet në futboll dhe rrugëtimi deri te lufta
Driton Rexhepi është një emër që i përket shumë dimensioneve, futbollist, ushtar, oficer, akademik dhe drejtues sportiv. I lindur në fshatin Petroc të Kamenicës, ai më vonë do të vendosej në Gjilan, ku edhe jeton me familjen e tij.
Karriera e tij nisi në vitet ’90 si futbollist i klubit “Studenti” nga Dobërqani, fshat afër vendlindjes së tij. Nga viti 1995 deri në vitin 1998, Rexhepi mbrojti ngjyrat e këtij klubi si mbrojtës i vendosur dhe i pathyeshëm.
Nga fusha në front, përkushtimi ndaj lirisë
Në dhjetor të vitit 1998, nën motivimin e familjarit të tij, Ilmi Ramadani, ish i burgosur politik, Dritoni i bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht, ai veproi në Zonën Operative të Llapit, konkretisht në brigadën 153. Për shkak të përgatitjes së lartë fizike si futbollist, ai shpejt u bë një nga ushtarët më të dalluar, si në ushtrime ashtu edhe në betejat reale.
Nofka e tij gjatë luftës ishte “Gjoni”, kinse nga fshati Stubëll i Vitisë, për të shmangur identifikimin nga armiku, pasi zona e fshatit të tij ishte e rrethuar nga forcat serbe. Më pas, familja e tij u zhvendos me dhunë në Sllatinë të Vitisë, e më vonë në Kumanovë.

Paslufta dhe shërbimi në institucionet e sigurisë
Pas çlirimit të vendit, Driton Rexhepi u bë pjesë e Gardës Kombëtare, e më vonë, në vitin 2006, kaloi në Zonën e 6 të Mbrojtjes së TMK-së në Gjilan. Ndërkohë, ai nuk ndaloi asnjëherë me përparimin akademik dhe profesional.
Mbaroi Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, me drejtim në Gjeografi dhe Edukatë Qytetare. Në vitin 2010-2011, ndoqi specializimin në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë. Një vit më vonë filloi studimet pasuniversitare në Shkencat e Sigurisë, të cilat i përfundoi me sukses duke magjistruar në temën:
“Siguria dhe roli i diplomacisë në ndërprerjen dhe parandalimin e konflikteve”.
Aktualisht: Nënkolonel në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK)
Sot, Driton Rexhepi mban gradën Nënkolonel në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ushtron detyrën si shef i sektorit për siguri në Drejtorinë për Inteligjencë dhe Siguri në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së.
Ai ka marrë pjesë në shumë trajnime dhe shkollime brenda dhe jashtë vendit dhe është dekoruar me mirënjohje dhe medalje për kontributin e tij si pjesëtar i UÇK-së dhe më vonë në forcat e sigurisë.
Një jetë me sportin dhe për sportin
Paralelisht me karrierën ushtarake, Rexhepi ka dhënë kontribut të madh edhe në sport. Nga viti 2002 deri më 2008, ka qenë anëtar i kryesisë së KB Prishtina, ku u veçua në aspektin organizativ dhe të sigurisë. Ai kujton me mall kohën kur basketbolli ishte sporti më popullor në Kosovë dhe kur KB Prishtina ishte në majat e suksesit, duke tërhequr vëmendjen e mijëra tifozëve.
Figura që mishëron përkushtimin dhe dinjitetin
Driton Rexhepi nuk është vetëm një oficer i lartë apo veteran i luftës, ai është një simbol i një brezi që kaloi nga lufta në paqe, nga sporti në uniformë, dhe që sot, me dinjitet e përkushtim, i shërben shtetit të Kosovës në nivelin më të lartë të sigurisë.


