Nga ëndrra për fakultet, te thirrja e mërgimit
Selami Azizi, i njohur nga të gjithë si Sela nga Kmetovci i Gjilanit, kishte një ëndërr të qartë: pas përfundimit të shërbimit ushtarak në ish-Jugosllavi, të vazhdonte studimet në fakultet. Por jeta shpesh e ndryshon drejtimin në mënyra të papritura. Vetëm dy javë para se të mbaronte ushtrinë, ai merr një garancion nga vëllai i tij i madh në Zvicër, një mundësi për të punuar dhe ndërtuar jetë në një vend që për shumë kosovarë ishte ëndrra më e madhe.
Sapo kthehet nga ushtria, pushon vetëm një ditë dhe vendos të niset për në mërgim. Viti ishte 1986.
Punë me nder në Zvicër
Jeta në Zvicër nuk ishte e lehtë. Por Sela, si shumë të rinj shqiptarë të asaj kohe, nuk kurseu veten. Ai punoi në çdo vend ku kishte nevojë, me përkushtim dhe ndershmëri. Serioziteti i tij bëri që të fitonte shpejt besimin e eprorëve zviceranë. Pas katër vitesh martohet, duke krijuar familjen e tij të re, e cila po ashtu do të duhej të përballej me sfidat e mërgimit.
Pushimi që solli dilema
Në vitin 1992, Sela vjen në vendlindje për një pushim të shkurtër prej 10 ditësh. Ishte pikërisht ky pushim që ia ndryshoi mendimin dhe rrjedhën e jetës. Duke parë ritmin e jetës në Kosovë, ai nisi të kalkulojë: “Me aq shumë orë pune sa po bëjmë në Zvicër, edhe këtu mund të arrihet i njëjti rezultat.”
Dilemat ia ndau babait të tij, i cili ishte njeriu më i afërt dhe më frymëzues për të. Babai, me urtësinë e tij të njohur, e dëgjoi me vëmendje dhe i dha një përgjigje që Sela kurrë nuk e harroi:
“Mendoje mirë bir, por dije se njeriun aftë edhe në maje të shkëmbit të mbetet, ai e nxjerr dinarin.”
Vendimi i madh, kthim pa kthim
Pas këtij dialogu, Sela merr vendimin e jetës: nuk do të kthehet më në Zvicër. Ishte një vendim i guximshëm dhe i rrezikshëm për kohën. Ai i telefonon bashkëshortes për ta ndarë vendimin. Ajo fillimisht e sheh me dyshim: “Mos është vendim shumë i rrezikshëm?”, por duke e njohur vendosmërinë e Selës, pranon. Pas dy muajsh, kthehet edhe ajo përgjithmonë në Kosovë.
Pas gjashtë vitesh pune në Zvicër, Sela vendos përfundimisht të lërë atë vend dhe të kthehet në jetën e tij në vendlindje.
Fillimet e biznesit “Vëllezërit Azizi”
Në vitin 1993, bashkë me vëllezërit, Sela themelon biznesin “Vëllezërit Azizi”. Ishte koha kur tregu kishte shumë nevoja për ndërtim dhe materiale ndërtimore. Shtëpia e parë që morën përsipër për ta ndërtuar vlente 46 mijë marka, një shumë e konsiderueshme për atë kohë. Me korrektësi dhe punë të ndershme, biznesi filloi të rritet nga viti në vit.
Lufta dhe shkatërrimi total
Por vitet e suksesit u ndërprenë brutalisht nga lufta e vitit 1999. Vetëm një javë para fillimit të bombardimeve, me proces policia financiare e dogji depon e materialit ndërtimor të Selës, ku vetëm gomat e automjeteve kapnin vlerën e 115 mijë markave. Shkatërrimi nuk ndaloi aty, edhe shtëpia e tij e re, ku kishte hyrë vetëm një vit para luftës, u dogj.
Kur u kthyen pas luftës, Sela dhe familja e tij u përballën me një realitet të dhimbshëm: gjithçka ishte shkatërruar. Jeta duhej nisur sërish nga zero.
Ringritja me “Sela Shpk”
Në vitin 2000, Sela vendos të fillojë një rrugë të re. Themelon biznesin personal “Sela Shpk”, duke vazhduar me të njëjtën veprimtari: ndërtim dhe tregti materiali ndërtimor. Filloi me vetëm 5 punëtorë, por me kalimin e viteve biznesi u zgjerua dhe sot numëron rreth 50 punëtorë të përhershëm. Madje, në një periudhë, punësoi edhe punëtorë nga Turqia për të përballuar kërkesat e shumta.
Cilësia e punës, korrektësia dhe serioziteti në çdo projekt e kanë bërë Selën një nga afaristët më të respektuar të Gjilanit.
Zgjerimi dhe modernizimi
Pesë vite më parë, Sela vendosi të zgjerojë aktivitetin e tij edhe në një drejtim tjetër. Hapi një autolarje digjitale moderne, e cila sot është ndër më bashkëkohoret në qytet. Ky ishte një tjetër dëshmi e guximit dhe largpamësisë së tij në botën e biznesit.
“A je i krisur?” Reagimet ndaj vendimit
Kur Sela vendosi të linte Zvicrën, shumë të afërm e shokë i thoshin:
“A je i krisur? Si e le atë vend e ato para?”
Por ai mbeti i palëkundur: “Jam i bindur se edhe këtu mund të ndërtojmë jetë e biznes. Dhe jo vetëm që e bëmë, por ia dolëm edhe më mirë.”
Kujtimi i babait, frymëzim i përhershëm
Dy vite pas vendimit të kthimit nga Zvicra, babai i tij ndërroi jetë. Për Selën, kjo ishte një goditje e rëndë, sepse babai ishte jo vetëm prind, por edhe udhërrëfyes e frymëzim i pandashëm.
Sot, çdo sukses i tij mbart në vete edhe fjalët e urta të babait, që i dhanë forcën të besonte në vetvete dhe të merrte vendime të mëdha.


