Lufta nuk kursen askënd. Viktimë e saj është bërë edhe Suleiman Al-Obaid, një nga figurat më të dashura të futbollit palestinez, i njohur nga bashkëkombasit si “Peleja” i tyre.
Për botën, ai mund të ishte një emër i panjohur. Për Palestinën, ishte simbol krenarie, ish-kapiten i kombëtares dhe lojtari më i mirë që vendi kishte nxjerrë ndonjëherë.
41-vjeçari, i tërhequr nga futbolli dy vite më parë, humbi jetën tragjikisht teksa priste në radhë për të marrë ushqim nga ndihmat humanitare. Sipas njoftimit të Federatës Palestineze të Futbollit, ai u qëllua nga ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës.
Al-Obaid kishte zhvilluar 24 ndeshje dhe shënuar dy gola me përfaqësuesen e Palestinës. Në karrierën e tij mbi dy dekada, të gjitha të luajtura në Gaza, ai kishte realizuar mbi 100 gola, duke u bërë një ikonë e sportit vendas.
Lajmi i vdekjes së tij ka tronditur botën e futbollit. Mes shumë reagimeve, veçohet ai i ish-yllit francez Eric Cantona, i cili e përkujtoi në rrjetet sociale me fjalë të ndjera.
Sipas të dhënave të autoriteteve palestineze, të raportuara edhe nga mediat ndërkombëtare, nga fillimi i konfliktit e deri më tani kanë humbur jetën mbi 660 sportistë dhe figura të sportit, përfshirë trajnerë e arbitra. Tragjedia e Suleiman Al-Obaid është një kujtesë e dhimbshme se lufta nuk njeh kufij, as në fushën e lojës, as jashtë saj.