Këndimi i vërtetë nuk del vetëm nga goja, por nga thellësia e shpirtit. E këtë e dëshmon më së miri Besim Limani nga Zarbinca, i cili edhe pse jeton dhe vepron në Amerikë, nuk e ka ndarë kurrë zemrën nga atdheu.
Në një video të shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale, ai këndon me shumë emocion një këngë kushtuar heroit Syl Zarbinca, por edhe të gjithë burrave të tjerë që kanë kontribuar për bashkimin e trojeve shqiptare, për çështje kombëtare, arsimore dhe kulturore.
Besimi filloi të këndojë që në fëmijëri në fshatin e tij të lindjes, ndërsa zhvillimi i tij artistik mori hov në Gjilan dhe në gjithë Kosovën gjatë viteve të ‘80-ta dhe ‘90-ta. Patriotizmi ka qenë frymëzimi i tij më i madh, edhe pse as kënga popullore nuk ka munguar në repertorin e tij.
Ai ka publikuar këngë autoriale, kaseta muzikore dhe ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme, dasma, ahengje e mbrëmje muzikore, duke u bërë zë i dashur për shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Por kjo video e fundit nuk është thjesht një interpretim, është një mesazh. Një dëshmi se arti i vërtetë nuk njeh kufij dhe se zemra e një artisti të lidhur me rrënjët, gjithmonë këndon për atdheun.