GJILAN – Drejtori i ri i Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, ka nisur punën me ritëm të lartë, duke zhvilluar një takim maratonë me drejtuesit e të gjitha institucioneve arsimore të komunës, që nga çerdhet e deri te shkollat e mesme të larta.
Ky takim, i pari i këtij lloji nën udhëheqjen e tij, kishte për qëllim skanimin e gjendjes reale në terren dhe identifikimin e sfidave emergjente me të cilat përballen shkollat tona.
Gjatë bashkëbisedimit, secili drejtor shkolle pati mundësinë të paraqesë kërkesat dhe problematikat specifike të institucionit që udhëheq.
Nga ana tjetër, drejtori Rexhepi u zotua për një qasje të re, të bazuar në transparencë radikale dhe zgjidhje konkrete, duke bërë të ditur se dyert e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) do të jenë të hapura në çdo kohë për drejtuesit e shkollave.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarët e lartë të DKA-së, u theksua se objektivi kryesor mbetet rritja e cilësisë në mësimdhënie dhe krijimi i një sistemi arsimor më funksional.
Ky bashkëpunim i ngushtë mes drejtorisë dhe shkollave shihet si hapi i parë drejt reformave që synojnë t’u shërbejnë sa më mirë nxënësve dhe stafit arsimor në Gjilan.

