Një qasje ndryshe ndaj provimeve, si i përgatit Singapuri prindërit dhe nxënësit

 

Singapuri, shteti që renditet ndër më të suksesshmit në botë për nga cilësia e arsimit, është bërë shembull frymëzimi edhe për mënyrën se si i qaset procesit të vlerësimit të nxënësve.

Në prag të sezonit të provimeve, një nga shkollat e këtij vendi dërgoi një letër prindërve që u bë virale në rrjetet sociale për mesazhin e saj njerëzor dhe edukativ.

Në letrën drejtuar prindërve thuhej:

“Provimet e fëmijëve tuaj janë gati të fillojnë dhe ne e dimë që ju jeni të shqetësuar për rezultatet e tyre. Por ju lutemi, mos harroni: midis këtyre nxënësve që do të hyjnë në provime ka një artist, një sipërmarrës, një muzikant dhe një sportist. Çdo fëmijë ka talentin e vet, dhe nuk është e nevojshme që të gjithë të shkëlqejnë në të njëjtat lëndë.”

Më tej, shkolla thekson se nota e një provimi nuk përcakton vlerën e fëmijës:

“Nëse fëmija juaj merr nota të larta, kjo është gjë e shkëlqyer. Por nëse jo, mos ia shkatërroni vetëbesimin dhe mos e bëni të ndihet më pak i vlefshëm. Thuajini se e doni pa kushte dhe se kjo është vetëm një provë e vogël në rrugën e gjatë të jetës.”

Ky qasje e butë dhe e mençur është pjesë e filozofisë arsimore në Singapor, ku theksi nuk vihet vetëm te rezultatet akademike, por te zhvillimi i aftësive jetësore, kreativitetit dhe mirëqenies emocionale të fëmijëve.

Sistemi arsimor i Singaporit është ndër më të avancuarit në botë, duke kombinuar disiplinën akademike me nxitjen e mendimit kritik, punës ekipore dhe respektit për diversitetin e talenteve.

Kjo qasje është ndër arsyet pse nxënësit singaporas renditen prej vitesh në majat e testimeve ndërkombëtare si PISA.

Në thelb të këtij suksesi qëndron filozofia e respektit për çdo individ,  një mesazh që çdo sistem arsimor, përfshirë edhe tonin, mund ta marrë si model frymëzimi.

 

Shpërndaj me të tjerët