Futbollisti i Dritës, kampionit aktual të Kosovës, Veton Tusha ka kaluar me sukses operacionin pas lëndimit të marrë të enjten e kaluar në Finlandë, gjatë ndeshjes ndërkombëtare kundër skuadrës KuPS, që përfundoi 1:1.
Ndërhyrja kirurgjikale kishte të bëjë me frakturën e harkut të ashtit zigomatik (arcus zygomaticus) dhe frakturën e murit të poshtëm të orbitës. Stafi i QKUK-së, nën drejtimin e doktorit Milot Ademaj, realizoi operacionin me sukses, duke siguruar rikuperimin e plotë të lojtarit.
Klubi ka falënderuar mjekët dhe të gjithë personelin për përkushtimin dhe kujdesin e treguar, duke dhënë një mesazh optimizmi për rikthimin e Tushës në fushë sa më shpejt.