Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega në Viti ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ordinancën LEKA Cardiovit, e përfaqësuar nga Dr. Agron Leka.
Kjo marrëveshje u mundëson veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në Komunën e Vitisë të përfitojnë shërbime shëndetësore falas, përkatësisht: Vizita kardiologjike, EKG, Ultrazë i zemrës, Tension holter, Ultrazë i barkut e të tjera.
Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me kryetar Idriz Quni, është shprehur mirënjohje e veçantë për Dr. Agron Lekën, për gatishmërinë dhe humanizmin e treguar ndaj kësaj kategorie, duke ofruar një kontribut të drejtpërdrejtë në përkujdesjen shëndetësore të veteranëve.
Dr. Agron Leka është specialist i kardiologjisë, me përvojë shumëvjeçare profesionale, nga Gjilani, dhe aktualisht punon në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Ky bashkëpunim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në mbështetjen dhe përkujdesjen institucionale për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.

