Sonte, me fillim nga ora 18:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, FC Drita do të përballet me Omonia Nicosia në kuadër të garave të Konferencë Ligës së Evropës.
Kjo do të jetë ndeshja e parë që gjilanasit e zhvillojnë si vendas në këtë fazë të garave, dhe për ta paraqet një moment të rëndësishëm në rrugëtimin evropian.
Një ditë para takimit, kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, tha se e pret një ndeshje e vështirë, por skuadra është e motivuar për të dhënë maksimumin.
“Edhe gjatë stërvitjeve jemi munduar të analizojmë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Jemi vendas, dhe presim një mbështetje të madhe nga tifozët tanë, e cila do të jetë një motiv shtesë. Duhet të luajmë me guxim dhe të mos kemi frikë, por ta respektojmë veten në fushë”, deklaroi Ramadani.
Ai shtoi se Drita do të hyjë në ndeshje me synim të qartë për fitore.
“Ne nuk dalim për të mos humbur, por për të fituar, duke u bazuar në karakterin e fortë të futbollistëve tanë. Shpresoj ta mbajmë portën të paprekur dhe të marrim tri pikët tona të para”, theksoi trajneri.
Ndërsa mbrojtësi i Dritës, Jorgo Pëllumbi, tha se ekipi është i përgatitur dhe i vendosur për të arritur rezultat pozitiv.
“Normalisht kemi bërë analizat dhe jemi gati të japim më të mirën për ta ndalur kundërshtarin, e pse jo për të fituar. Presim mbështetje të madhe jo vetëm nga Intelektualët, por nga gjithë tifozët e kombit, sepse Drita nuk përfaqëson vetëm qytetin, por gjithë Kosovën”, u shpreh Pëllumbi.

