Pa ngrohje, pa ring e pa përkrahje, realiteti i hidhur i KB ‘Drita”

 

Trajneri Musli Zymberi: “Garuesit humbën jo për fajin e tyre, por për mungesë kushtesh”

Klubi i Boksit “Drita” nga Gjilani po përballet me kushte jashtëzakonisht të vështira për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Mungesa e sallës së përshtatshme për stërvitje, e bashkë me të edhe mungesa e mjeteve materiale, po e pengon ndjeshëm punën e këtij klubi me traditë, nga i cili ndër vite kanë dalë shumë kampionë.

 “Garuesit humbën për shkak të kushteve”

Trajneri i njohur gjilanas, Musli Zymberi, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet klubi.

“Dy garuesit tanë në fudnjavë pësuan humbje pikërisht për shkak të kushteve që po i përjetojmë. Nuk po mundemi të përgatitemi si duhet”, është shprehur ai.

Sipas Zymberit, salla ku zhvillohen stërvitjet nuk ka ngrohje fare, ndërkohë që për boksin është shumë e nevojshme ngrohja, sidomos në fazat e rregullimit të peshës para ndeshjeve.

 Pa mjete, pa ring, pa garime

“Ana materiale në klub është në zero. Mungesa e rekuizitave, përfshirë edhe ringun e improvizuar, ndikon direkt në rezultate. E fundit, mungesa e garave, kjo është vetëm gara e dytë që është mbajtur këtë vit,  e ka efektin e vet negativ në suksesin sportiv”, ka shtuar Zymberi, duke mos fshehur mllefin për situatën aktuale.

Stërvitje vullnetare dhe pjesëmarrje me mjete vetanake

Aktualisht, numri i nxënësve që ndjekin stërvitjet sillet rreth 10 bokserë aktivë, disa prej të cilëve ende pa asnjë meç të zhvilluar.

Ata stërviten pesë herë në javë, pa paguar asgjë, njësoj si trajnerët, të cilët punojnë vullnetarisht dhe pa asnjë shpërblim.

“Komuna nuk na ka ndihmuar asnjëherë. Është aprovuar vetëm kërkesa për turneun përkujtimor ‘Agim Rashiti’, por mjetet ende nuk janë lëshuar. Pjesëmarrjet tona në gara bëhen gjithmonë me mjete vetanake”, ka theksuar trajneri Zymberi.

Shpresë për ndërhyrje komunale

Për shkak të renovimit të plotë të Palestrës së Sporteve në Gjilan, të gjitha klubet janë shpërndarë nëpër salla shkollore.

Por për boksin, që kërkon kushte specifike dhe pajisje të dedikuara, këto salla nuk ofrojnë as minimumin e nevojshëm.

Zymberi shpreson se organet komunale do të ndërhyjnë me ndihmë konkrete, jo vetëm për klubin e boksit, por në përgjithësi për sportin gjilanas.

“Nuk kërkojmë luks, kërkojmë vetëm kushte bazë që fëmijët të kenë ku të ushtrojnë dhe të përfaqësojnë denjësisht qytetin,” përfundon trajneri Musli Zymberi.

Stërvitjet  KB “Drita” është duke i  zhvilluar në sallën  sportive të shkollës 9-vjeçare “Abaz Ajeti” në Gjilan.

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët