Palestra e qytetit do të marrë pamje spektakolare pas renovimit

 

Palestra më moderne në Gjilan po merr formë, fushat e futbollit dhe basketbollit ndërtohen jashtë objektit

Palestra më moderne që po rinovohet  në Gjilan ka hyrë në një fazë intensive të punimeve, duke dhënë sinjale të qarta se projekti po ecën sipas planit dhe pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Pavarësisht sezonit dimëror, punimet nuk janë ndalur, çka dëshmon përkushtimin për realizimin e këtij investimi madhor sportiv.

Ky projekt është një nga investimet më të mëdha në infrastrukturën sportive që ka paralajmëruar kryetari i Komunë së  Gjilanit, Alban Hyseni.

Investim prej 2.8 milionë eurosh për sportin gjilanas

Vlera e përgjithshme e projektit arrin rreth 2.8 milionë euro, prej të cilave 2.3 milionë euro financohen nga Ministria e Sportit, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga buxheti komunal.

Ky investim synon krijimin e kushteve moderne për zhvillimin e sportit profesional dhe rekreativ, si dhe për organizimin e aktiviteteve sportive në nivel lokal dhe kombëtar.

Transformim i plotë i palestrës “Bashkim Selishta – Petriti”

Sipas përgjegjësit të palestrës, Adnan Hoxha, objekti po pëson një transformim tërësor.

“Përveç që gjithçka do të jetë e re, palestra do të jetë shumë më funksionale. Do të ketë qasje më të lehtë për sportistët dhe shikuesit, hapësira për zyrtarët e federatave, si dhe dhomë të veçantë të ambulancës”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka theksuar se tashmë është e dukshme forma e jashtme e objektit, ndërsa punimet po avancojnë sipas planit.

Fushat e futbollit dhe basketbollit ndërtohen jashtë palestrës

Një nga veçoritë më të rëndësishme të këtij projekti është fakti se fushat sportive nuk do të jenë vetëm brenda palestrës, por do të ndërtohen edhe jashtë saj, duke krijuar një kompleks të kompletuar sportiv.

Sipas Hoxhës, projekti parasheh: fushë futbolli në ambient të hapur, dy fusha basketbolli të jashtme, shteg vrapimi me tartan rreth fushës së futbollit, tribuna të mbuluara për shikues, ndriçim modern për shfrytëzim edhe në mbrëmje.

Infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore

Objekti do të pajiset me: sistem të ri të ngrohjes me pompa termike,  instalime të reja elektrike, ndriçim modern,  sistem të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit,  ventilim sipas standardeve bashkëkohore

“E gjithë infrastruktura do të jetë e re dhe funksionale, duke krijuar kushte të denja për sportistët dhe qytetarët”, ka theksuar Hoxha.

Përfundimi i punimeve pritet brenda vitit

Sipas dinamikës aktuale të punimeve, përgjegjësit e projektit shprehen optimistë se palestra dhe hapësirat përcjellëse sportive do të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

Ky projekt pritet ta shndërrojë Gjilanin në një nga qytetet me infrastrukturën më moderne sportive në rajon, duke u ofruar sportistëve kushte dinjitoze për stërvitje dhe gara.

 

Shpërndaj me të tjerët