Palestra e Sporteve në Gjilan, që sot mban emrin “Bashkim Selishta”, u hap për herë të parë në vitin 1979. Ajo ishte pjesë e një projekti më të gjerë rajonal, ku u ndërtuan shtatë salla sportive të këtij lloji në gjithë Kosovën, si pjesë e një nisme për zhvillimin e infrastrukturës sportive në vend.
Hapja e palestrës përkoi me organizimin e Kampionatit Evropian në hendboll për femra, që i dha një shtysë të madhe sportit vendor dhe e shndërroi këtë objekt në një qendër të rëndësishme sportive dhe kulturore në Gjilan.
Palestra ishte projektuar sipas standardeve të kohës dhe konsiderohej një ndër objektet më moderne në vend. Ishte e paraprirë të kishte edhe një pishinë të hapur, për të cilën u hodhën edhe themelet, por që për arsye të panjohura nuk u realizua as para, as pas luftës.
Drejtori i parë, Fahredin Sherfi (Farka)
Drejtimin e parë të palestrës e mori Fahredin Sherfi – Farka, një figurë e njohur në arsim dhe sport. Para emërimit, ai kishte shërbyer për 13 vjet si profesor i matematikës në shkollën normale dhe gjimnazin e Gjilanit. Edhe pse e donte mësimdhënien, ai pranoi detyrën e drejtorit të palestrës, për shkak të kërkesës së autoriteteve komunale.
Ai e mbajti këtë pozitë deri në vitin 1992, kur u detyrua të largohej nga vendi për shkak të presionit politik nga pushteti i atëhershëm. Largimi i tij nga Gjilani, i detyruar dhe i dhimbshëm, përfshinte edhe shitjen e shtëpisë dhe emigrimin në Turqi, më 30 gusht 1992.
Kthimi pas dekadash dhe nderimi
Pas më shumë se dy dekadash, Farka u kthye në Gjilan në vitin 2014. Ai u prit me shumë dashuri dhe respekt nga qytetarët, të cilët nuk e kishin harruar kontributin e tij për sportin dhe kulturën. Kudo që shkonte, njerëzit ndaleshin për t’i shprehur mirënjohjen dhe respektin për punën e tij.
Një figurë me autoritet e vizion
Gjatë drejtimit të tij, palestra u bë qendër e rëndësishme për sport dhe kulturë. Sherfi njihej për disiplinë, pastërti dhe rend, dhe ishte një administrator model. Ai ishte autoritar në menaxhim, por gjithmonë i drejtë dhe parimor. Ishte shumë i përkushtuar ndaj të rinjve, sportistëve dhe komunitetit në përgjithësi.
Përveç sportit, Sherfi dha kontribut edhe në jetën kulturore të qytetit, duke organizuar koncerte me artistë nga Shqipëria, Turqia, Afrika dhe nga estrada kosovare, duke i dhënë ngjyrë e gjallëri skenës kulturore të Gjilanit.
Qytetar Nderi i Gjilanit
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Fahredin Sherfi është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Gjilanit”. Ky vlerësim simbolizon mirënjohjen e qytetit për një njeri që dha gjithçka për zhvillimin e sportit, edukimit dhe kulturës në komunitetin lokal.