Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës
Parashikimi javor i motit (21-25 korrik 2025). Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës
Një javë e nxehtë po parashikohet të përfshijë vendin tonë. Kjo situatë vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa veriore e Afrikës. Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut.
Një presion i lartë atmosferik i vendosur në pjesën qendrore dhe jugore të Mesdheut ka krijuar kushte për rrjedhën e një mase ajrore subtropikale kontinentale nga shkretëtira e Saharasë drejt gadishullit Ballkanik. Ky fenomen meteorologjik është i zakonshëm gjatë muajve të verës dhe shpesh shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësira dhe zjarre në zona pyjore e bujqësore.
Temperaturat do të tejkalojnë vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik. Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet të shmanget ekspozimi direkt në diell nga ora 9:00 deri në 17:00. Moshat e shtyera, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuarit.
E hënë – 21 korrik
Moti do të jetë kryesisht me diell.
• Temperaturat minimale: 13 – 16°C
• Temperaturat maksimale: 33 – 38°C
• Era: e lehtë nga drejtime të ndryshme
E martë – 22 korrik
Moti me diell dhe vranësira të shpërndara. Vende-vende priten riga shiu me rrufe gjatë ditës.
• Temperaturat minimale: 14 – 17°C
• Temperaturat maksimale: 32 – 36°C
• Era: nga veriperëndimi, 1–3 m/s
E mërkurë – 23 korrik
Moti me diell dhe vranësira të shpërndara. Lokalisht parashihen reshje të shkurtra shiu.
• Temperaturat minimale: 13 – 19°C
• Temperaturat maksimale: 32 – 37°C
• Era: kryesisht nga verilindja, 1–4 m/s
E enjte – 24 korrik
Moti me diell dhe vranësira të pakta. Vranësirat gjatë ditës mund të sjellin riga shiu dhe rrufe në disa zona.
• Temperaturat minimale: 14 – 19°C
• Temperaturat maksimale: 34 – 38°C
• Era: nga verilindja, 1–5 m/s
E premte – 25 korrik
Moti me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat mund të sjellin reshje të izoluara.
• Temperaturat minimale: 15 – 20°C
• Temperaturat maksimale: 35 – 39°C
• Era: e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi