Pas 27 vitesh pritje, merr shtetësinë e Kosovës

 

Pas një pritjeje të gjatë prej gati tri dekadash, Fikri Mehmeti nga Novosella e Malësisë së Bujanocit është pajisur më në fund me shtetësinë e Republikës së Kosovës, falë një dekreti të Presidentes Vjosa Osmani.

Mehmeti, i cili jeton dhe vepron në Gjilan tash e rreth 30 vjet, nuk kishte arritur më parë të pajisej me dokumente kosovare, pavarësisht angazhimit të tij të vazhdueshëm në jetën shoqërore dhe qytetare të vendit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj Presidentes Osmani për vendimin e marrë.

“Me ndjenjë përgjegjësie dhe mirënjohjeje, dëshiroj të njoftoj se jam pajisur me shtetësinë e Republikës së Kosovës, përmes Dekretit të Presidentes së Republikës, znj. Vjosa Osmani. Ky akt për mua përfaqëson jo vetëm një të drejtë të fituar, por edhe një vlerësim të rrugëtimit tim qytetar ndër vite”, ka shkruar Mehmeti.

Ai ka theksuar se shpreson që në të ardhmen të krijohen lehtësira edhe për qytetarët e tjerë nga Lugina e Preshevës, të cilët prej dekadash jetojnë dhe kontribuojnë në Kosovë, por ende mbesin pa zgjidhje ligjore.

“Uroj që të krijohen më shumë mundësi për të gjithë ata që prej 27–30 vitesh kanë ndërtuar jetën, familjet dhe kontributin e tyre në Kosovë”, ka shtuar ai.

Mehmeti ka qenë i angazhuar vazhdimisht në jetën publike dhe shoqërore, si aktivist politik dhe pjesë e organizimeve qytetare, duke dhënë kontribut në shërbim të komunitetit dhe vlerave demokratike.

Në fund, ai ka theksuar se kjo shtetësi për të përfaqëson më shumë se një dokument:

“Republika e Kosovës mbetet për mua jo vetëm atdhe ligjor, por edhe hapësirë e përkushtimit qytetar dhe e përgjegjësisë publike që do ta mbaj gjithmonë me dinjitet.”

 

Shpërndaj me të tjerët