Pas një periudhe mbi 20-vjeçare funksionimi, një prej qendrave të para tregtare të hapura pas luftës në Gjilan, Agmia Center, ka vendosur të mbyllë dyert.
Vendin e saj do ta zërë një operator tjetër tregtar, duke lënë pas një boshllëk të madh për qytetin dhe banorët e tij.
Lajmin e kanë bërë të ditur vetë bizneset që veprojnë brenda qendrës, të cilët tashmë kanë nisur zbritjet e fundit të mallrave, pasi duhet të lirojnë hapësirat më së voni deri më 31 tetor.
Janë diku rreth 50 lokale, brenda dhe jashtë objektit, të cilat për afro dy dekada kanë mbajtur familje e gjenerata të tëra me të ardhurat e tyre.
Për shumë prej tyre, Agmia Center nuk ka qenë vetëm një hapësirë tregtare, por një vend pune, djersa e përditshme dhe siguria ekonomike e shtëpisë.
Natyrisht, tash kjo mbyllje ka sjellë një problematikë serioze për këta njerëz, sfidën e zhvendosjes dhe gjetjes së lokaleve të tjera me qira.
Për bizneset e vogla e të mesme, kjo nënkupton jo vetëm barrë financiare shtesë, por edhe rrezikun e humbjes së klientelës që për vite të tëra e kishin krijuar aty.
Agmia Center ishte ndërtuar me kapital dhe shpirt gjilanas, duke u bërë një simbol i pasluftës dhe një pikë takimi për qytetarët.
Ishte një prej qendrave të para në Gjilan që kishte edhe ashensor, një element modern që në atë kohë përbënte risi dhe krenari për qytetin.
Për shumë vite, marketi në katin përdhesë ishte ndër më të organizuarit, me furnizime të bollshme dhe me shërbime që krijuan besim tek konsumatorët.
Qendra nuk ishte vetëm një vend tregtie, por edhe një hapësirë sociale: aty bëheshin takime, aty ndaheshin përditshmëri, dhe për shumëkënd, Agmia ishte një pikë referimi në zemër të qytetit.
Me hapësirë të bollshme parkimi dhe me dyer të hapura për të gjithë, ajo arriti të krijojë një brend të pastër gjilanas, i cili sot po shuhet.
Arsyet e mbylljes nuk janë bërë publike, por drejtuesit e qendrës kanë marrë vendimin për ta dhënë hapësirën me qira një operatori tjetër tregtar. Natyrisht, ligjet e tregtisë së lirë garantojnë të drejtën e secilit për të marrë vendime të tilla.
Por, për qytetin e Gjilanit, kjo mbetet një humbje emocionale dhe ekonomike, sepse tashmë asnjë nga marketet e mëdha nuk do të mbajë më vulën “Made in Gjilan”.
Një epokë mbyllet, duke lënë pas kujtime, sfida dhe një boshllëk që do të ndihet gjatë në jetën e përditshme të qytetit.