Pas reagimit të asamblistit Fadil Ademi, rregullohet ndriçimi publik në Velekincë

GJILAN – Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Fadil Ademi, ka njoftuar për sanimin e suksesshëm të një problemi me ndriçimin publik në fshatin Velekincë, pas shqetësimeve të ngritura nga banorët e zonës.

Ademi, i cili njihet si një asamblist mjaft aktiv në terren, ka bërë të ditur se prishja e ndriçimit në pjesën mbi shkollën e fshatit paraqiste rrezik të vazhdueshëm për kalimtarët, e në veçanti për nxënësit që e frekuentojnë atë rrugë çdo ditë.

Pas intervenimit të shpejtë, tashmë i gjithë rrjeti i ndriçimit në atë pjesë është rikthyer në funksion.

“Sa herë që ka shqetësime nga banorët, e ndjej për obligim të reagoj. Në Velekincë, mbi shkollë, ka pasur prishje në ndriçim, gjë që ka paraqitur rrezik sidomos për fëmijët. Sot, kompania që e mirëmban ndriçimin e ka rregulluar komplet këtë pjesë,” ka thënë Ademi.

Asamblisti ka falënderuar ekipin e kompanisë “Toni & Goni” për reagimin e tyre të shpejtë dhe efikas, duke theksuar se angazhimi i tij do të vazhdojë të jetë në shërbim të çdo kërkese të qytetarëve për të siguruar një ambient më të sigurt për të gjithë.

Ky veprim vlerësohet si pjesë e punës së vazhdueshme të Ademit për të qenë një urë lidhëse mes komunitetit dhe institucioneve lokale.

 

 

Shpërndaj me të tjerët