PDK Gjilan: Buxheti u votua, por skepticizmi për realizimin mbetet

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan ka reaguar pas miratimit të buxhetit të Komunës për vitin 2026, duke shprehur kritika dhe skepticizëm për mënyrën e planifikimit dhe zbatimit të tij.

Në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare, PDK bën të ditur se buxheti në vlerë prej 42 milionë euro është miratuar në një seancë të jashtëzakonshme, e cila sipas tyre është mbajtur në kushte të papërshtatshme, “26 vite pas luftës, në korridorin e një shkolle, me qytetarë që hynin e dilnin vazhdimisht”.

Sipas PDK-së, grupi i tyre asamblist ka paraqitur propozime dhe vërejtje gjatë shqyrtimit të buxhetit, ku një pjesë e tyre janë përfshirë në projektbuxhet nga Kuvendi Komunal, duke u cilësuar si të domosdoshme. Megjithatë, ata shprehen skeptikë se këto projekte do të realizohen në praktikë.

“Ne si grup e votuam buxhetin për t’ua hequr justifikimin se opozita po e pengon punën. Tash buxheti u votua dhe mbetet të shihet nëse do të bëhet ndonjë punë e hajrit”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Tutje, kjo parti shpreh shqetësim të veçantë për ndarjet buxhetore, duke theksuar se nuk janë paraparë mjete për shëndetësi, ndërsa për arsimin janë ndarë vetëm 2.46 për qind, në një kohë kur, sipas tyre, komuna përballet me borxhe të mëdha.

“Me këtë keqplanifikim të buxhetit, shtrohet pyetja se si do të zhvillohet Komuna jonë dhe si do të ndihmohen qytetarët”, përfundon komunikata e PDK-së në Gjilan.

 

 

Shpërndaj me të tjerët