Pas ngjarjes së rëndë që tronditi sot Gjilanin, ku një vrasje e trefishtë ka lënë të shokuar opinionin publik, ka reaguar dega e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë qytet.
Në reagimin e tyre, PDK Gjilan shpreh ngushëllime të sinqerta për familjarët e viktimave dhe solidarizohet me dhimbjen e tyre, duke e cilësuar rastin si tepër të rëndë dhe të papranueshëm.
“Të tronditur nga rasti që ndodhi sot në qytetin tonë, shprehim ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave, e njëkohësisht i bëjmë thirrje organeve të sigurisë që ky rast të zbardhet sa më parë. Siguria publike duhet të jetë përherë prioritet i të gjithëve, me shpresën që ky të mbetet rasti i fundit i vrasjeve në Gjilan e në Kosovë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Ngjarja e sotme ka ngritur shqetësime të mëdha për nivelin e sigurisë publike në qytet, ndërsa qytetarët kërkojnë veprime të shpejta nga institucionet për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen.