Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Gjilan, ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Sipas partisë opozitare, kryetari akuzohet për shkelje të rënda ligjore të konstatuara në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2024.
Në kallëzim thuhet se janë evidentuar: keqpërdorim i pozitës zyrtare, devijime të kontratave publike në vlerë mbi 1.28 milionë euro, rialokime të paligjshme buxhetore, si dhe vonesa të pagesave që kanë shkaktuar dëme shtesë mbi 523 mijë euro.
Në komunikatë, PDK thekson se Hyseni ka shmangur vazhdimisht llogaridhënien në Kuvendin Komunal, duke mos raportuar për raportin financiar të vitit 2024, për gjendjen financiare gjashtëmujore të vitit 2025 dhe duke mos u paraqitur në seancat e dedikuara për diskutimin e gjetjeve të Auditorit.
“Këto shmangie e thellojnë dyshimin për mungesë transparence dhe përgjegjësie, duke dëmtuar seriozisht besimin e qytetarëve në menaxhimin e financave publike”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Nga kjo parti opozitare kërkohet që Prokuroria Speciale të veprojë me prioritet, në mënyrë që të garantohet ligjshmëria, llogaridhënia dhe mbrojtja e interesit publik.
“Pas 12 tetorit ky kryetar komune do të japë llogari para drejtësisë për veprat penale dhe dëmet e jashtëzakonshme që ia ka shkaktuar komunës dhe qytetarëve të Gjilanit. Nuk po e themi vetëm ne, por çdo institucion mbikëqyrës ka konstatuar vazhdimisht shkelje të rënda ligjore”, përfundon komunikata e PDK-së.
Pas 12 tetor ky kryetar komune do të jap llogari para drejtësisë për veprat penale dhe për dëmet e jashtëzakonshme që ia ka bërë komunës dhe qytetarëve të Gjilanit.
Nuk po e themi vetëm ne, por çdo institucion mbikqyrës i punëve në qeverisjen komunale, në vazhdimësi ka konstatuar shkelje të rënda ligjore.