PDK në Gjilan ka prezantuar sot një kandidate të re për Asamblenë Komunale, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të tetorit. Përmes faqes zyrtare, është bërë publike kandidatura e znj. Shota Ramadani Poroshtica, e cila do të garojë si pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës.
Shota Ramadani Poroshtica është një emër i njohur për angazhimin e saj në arsim dhe në sektorin privat, si dhe në fushën e krijimtarisë letrare. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Menaxhment dhe masterin në Marketing, ndërsa përvoja e saj shumëvjeçare reflekton përkushtim, profesionalizëm dhe aftësi drejtuese.
“Me Shoten, ekipi ynë forcohet edhe më shumë,” thuhet në njoftimin e PDK-së. “Ajo sjell energji për ndryshim, përvojë menaxheriale dhe ndjeshmëri për nevojat e qytetarëve, veçanërisht për gratë, të rinjtë dhe fëmijët.”
Zëri i saj në Kuvendin Komunal pritet të jetë zëri i përgjegjësisë dhe zhvillimit për Gjilanin.

