Pensionohet drejtuesi i njohur gjilanas, Halit Bajraliu

 

Pas 39 vjetëve punë të pandërprerë në ndërmarrje shoqërore dhe private, është pensionuar punonjësi dhe drejtuesi i njohur gjilanas, Halit Bajraliu.

I vlerësuar nga kolegët për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, ai për vite me radhë njihej me nofkën “Halit drejtori”, për shkak të stilit udhëheqës, qasjes njerëzore dhe marrëdhënieve korrekte me punonjësit.

Halit Bajraliu e nisi karrierën më 2 shkurt 1987 në ndërmarrjen “Morava e Binçës”, ku më vonë shërbeu si drejtor i njësisë së ndërtimit deri në vitin 2004.

Më pas vazhdoi punën si menaxher në kompaninë “Kofix”, ku tregoi aftësi të larta menaxheriale.

Rrugëtimi i tij profesional vazhdoi në kompaninë “Agi Dani SHPK”, ku mbajti pozitën e menaxherit të administratës ekonomike, detyrë nga e cila edhe u pensionua.

Bajraliu thotë se ndihet krenar për gati katër dekada punë:
“Jam i lumtur që 39 vite punë i përfundova gjithmonë me respekt nga kolegët.”

Përveç karrierës profesionale, ai ka qenë i angazhuar edhe në çështje shoqërore e kombëtare.

Gjatë viteve ’90, në kohën e presionit të madh politik, Bajraliu ishte aktiv në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, duke shërbyer si kryetar i Komisionit për Strehim dhe Ushqim, si dhe si aktivist politik në periudha të vështira.

Ai ishte një nga bashkëthemeluesit e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Moravës së Binçës”, si dhe pjesë e Komisionit Komunal për Eliminimin e Dukurive Negative, bashkë me Halil Bllacën.

Për shkak të masave të dhunshme të kohës, ishte larguar nga puna dhe për një periudhë u detyrua të punonte si punëtor fizik.

Në ceremoninë e pensionimit, Halit Bajraliu u nderua me mirënjohje për kontributin e gjatë dhe të çmuar.

Ai pensionohet me respektin e kolegëve dhe me urimin që të gëzojë shëndet e jetë të gjatë pranë familjes dhe dy fëmijëve të tij.

 

Shpërndaj me të tjerët