Sot është pensionuar Prof. Skënder Hasani, një figurë e respektuar e arsimit, me përvojë të gjatë e të pasur në edukimin e brezave të rinj. Vetëm në Gjimnaz, ai ka dhënë më shumë se 30 vite mësim të pandërprerë e të palodhshëm.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në vitet e qeta, por edhe në periudhat e vështira të arsimit në vitet ’90, kur mësuesit punonin pa pagesë, me sakrifica të jashtëzakonshme për të mbajtur gjallë shkollën shqipe.
Prof. Hasani do të mbahet mend si mësues shembullor, i dalluar për disiplinën, dashurinë ndaj dijes dhe profesionalizmin e tij, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin e shumë gjeneratave të nxënësve.
“Ndjehem i privilegjuar që isha nxënës i tij, koleg e mik,” ka thënë drejtori i Gjimnazit, Jeton Rexhepi. “E vlerësoj faktin se gjithmonë ishte i njëjti; i afërt dhe plot energji, i gatshëm të ndihmonte e të ishte pranë kujtdo që kishte nevojë. Ai mbeti gjithmonë serioz e i drejtë, në krye të çdo organizimi, dinjitoz, i drejtpërdrejtë dhe i pakompromis.”
Në fund, Rexhepi e ka uruar profesorin për pensionimin, duke i dëshiruar jetë të gjatë, shëndet dhe lumturi të plotë.