Përfundon restaurimi i Xhamisë së Meshinës në Kamenicë

Ka përfunduar me sukses restaurimi i Xhamisë së Meshinës në Kamenicë, një nga objektet më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe fetare në këtë pjesë të vendit.

E ndërtuar në vitin 1886, Xhamia e Meshinës dallohet për minarenë e saj prej druri, e cila përfaqëson një vlerë të veçantë arkitekturore dhe historike.

Punimet restauruese janë realizuar me standarde profesionale, duke ruajtur me kujdes autenticitetin, elementet origjinale dhe identitetin e objektit.

Restaurimi i këtij monumenti të rëndësishëm është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa për përfundimin e suksesshëm të punimeve ka njoftuar sot ministri Hajrulla Çeku.

Ky investim dëshmon përkushtimin institucional për mbrojtjen, ruajtjen dhe rivitalizimin e trashëgimisë kulturore, duke e kthyer atë në shërbim të komunitetit dhe brezave të ardhshëm.

 

 

Shpërndaj me të tjerët