Përmbytjet godasin edhe Kosovën, dy komuna shpallin gjendje emergjente

 

Situata me përmbytjet në Kosovë vazhdon të mbetet e rëndë edhe sot, ndërsa dy komuna, Juniku dhe Malisheva, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Rajonet më të prekura nga vërshimet janë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova, ku janë raportuar përmbytje në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara.

Në Gjakovë, autoritetet kanë kërkuar edhe evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në komunat e tjera të vendit, gjendja vlerësohet relativisht e qetë dhe stabile, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përmes sistemit të komunikimit emergjent.

Si pasojë e situatës dhe për arsye sigurie, është shtyrë edhe fillimi i procesit mësimor, i cili do të nisë më 12 janar.

Lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet, të martën kanë reaguar edhe përfaqësues shtetërorë dhe përfaqësues të partive politike.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët që po reagojnë me përgjegjësi dhe solidaritet në mbrojtje të jetës dhe pronës.

“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren, në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore,” ka deklaruar Presidentja Osmani.

 

 

Shpërndaj me të tjerët