Me punë të palodhshme, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, stafi teknik i KF Drita po vazhdon të korrë suksese të jashtëzakonshme, duke i dhuruar klubit tituj dhe trofe të rëndësishëm në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Në krye të kësaj përbërjeje qëndron trajneri kryesor Zekirija Ramadani – Zeka, strategu i njohur nga Shkupi, i cili ka në bagazhin e tij katër tituj kampioni me katër skuadra të ndryshme në Kosovë.
Me përvojën dhe vizionin e tij, ai ka ndërtuar një skuadër konkurruese dhe fituese.
Ndihmëstrajner i parë është Sedat Shahin nga Gostivari, i shkolluar në Bosnje dhe Turqi, një emër i njohur për disiplinë, profesionalizëm dhe video analist.
Krahas tij është edhe Visar Sermaxhaj, gjithashtu ndihmëstrajner, ish-mesfushor i shquar i Dritës, i cili tashmë po dëshmohet si trajner perspektiv me ide moderne dhe të qarta taktike.
Për përgatitjen fizike të ekipit kujdeset Abdulla Biricik, trajner kondicional nga Turqia, me përvojë të gjerë ndërkombëtare, ndërsa portierët e Dritës stërviten nga legjenda e klubit, Afrim Shahini, një emër që për dekada ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për bardhekaltrit.
Kjo pesëshe, nën drejtimin e “ujkut të vjetër” Zekirija Ramadani, sezonin e kaluar e kurorëzoi punën me titullin e kampionit të Kosovës, ndërsa më pas arriti një sukses historik duke u kualifikuar në play-off të Conference League, një arritje e madhe për futbollin kosovar.
Edhe këtë sezon, puna e tyre po jep fryte. Qysh në fillim të përgatitjeve, në Antalya të Turqisë, Drita arriti të fitojë Superkupën e Kosovës, duke e ngritur për herë të dytë në histori këtë trofe.
Sukseset e kësaj përbërjeje teknike janë rezultat i një pune të heshtur, por jashtëzakonisht profesionale.
Ata përbëjnë një ekip kompakt, homogjen dhe të përkushtuar, që po e dërgon KF Dritën drejt majave të reja të futbollit kosovar.
