Policia e Gjilanit: 35 aksidente dhe 1619 gjoba në një javë

 

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka zhvilluar aktivitete të shumta në kuadër të planeve operative për siguri në trafik gjatë periudhës 17–23 tetor 2025.

Gjatë kësaj kohe janë shqiptuar gjithsej 1,619 gjoba ndaj ngasësve që kanë shkelur rregullat e trafikut.
Po ashtu, janë hetuar 20 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 15 aksidente me të lënduar, ndërsa për 50 ngasës është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.

Policia ka theksuar se qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve mbetet parandalimi i aksidenteve dhe rritja e sigurisë në rrugë.
Në veçanti, është bërë apel për kujdes nga ngasësit e makinave bujqësore, të cilët shpesh janë pjesë e trafikut rrugor në zonat rurale.

Policia u ka kujtuar këtyre ngasësve që të:përdorin sinjalizuesit gjatë gjithë kohës dhe të jenë të dukshëm në rrugë; mirëmbajnë pajisjet bujqësore në gjendje të mirë dhe të përshtatshme për qarkullim; kontrollojnë sistemet e drejtimit dhe frenimit; shmangin ngarkesat e larta dhe mbingarkimin e rimorkiove; mbajnë distancën e duhur dhe të kyçen në trafik vetëm kur është e sigurt;  mos dalin në rrugë me goma të dëmtuara ose të zhytura.

Policia e Kosovës apelon që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë për një qarkullim më të sigurt për të gjithë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët