Policia e Gjilanit alarmon për rrezikun nga laserët

GJILAN – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka nisur realizimin e projektit sensibilizues “Parandalimi i përdorimit të rrezikshëm të laserëve nga të rinjtë”.

Përmes këtij aktiviteti, Policia synon rritjen e vetëdijes qytetare dhe parandalimin e incidenteve që mund të cenojnë sigurinë publike dhe shëndetin e qytetarëve.

Në kuadër të këtij projekti, zyrtarët policorë janë duke zhvilluar ligjërata informuese në shkollat fillore dhe të mesme të rajonit.

Përveç nxënësve, takime po mbahen edhe me stafin arsimor dhe këshillat e prindërve, ku kërkohet një mbikëqyrje më e shtuar ndaj fëmijëve lidhur me përdorimin e këtyre pajisjeve.

Po ashtu, në vende me frekuentim të lartë janë vendosur materiale informuese që shpjegojnë pasojat e përdorimit të pakontrolluar të laserëve.

Policia e Kosovës rikujton se drejtimi i rrezeve laser ndaj personave, automjeteve apo mjeteve ajrore përbën një veprim të rrezikshëm dhe të dënueshëm ligjërisht.

Veprime të tilla mund të shkaktojnë pasoja serioze për shëndetin e syve, të dëmtojnë sigurinë në komunikacion dhe të prishin rendin publik.

Ky aktivitet ka për qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe parandalimin e rasteve që mund të çojnë në lëndime apo aksidente.

Policia apelon te të gjithë qytetarët për kujdes dhe përgjegjësi, duke garantuar kështu një ambient më të sigurt për të gjithë komunitetin.

 

Shpërndaj me të tjerët