Policia e Gjilanit intensifikon kontrollin në trafik, 1440 gjoba në një javë

 

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore, gjatë periudhës 12–18 dhjetor 2025, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, kanë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 440 gjoba.

Gjatë kësaj periudhe, përveç kontrolleve të shtuara, janë ndërmarrë edhe aktivitete të tjera operative, përfshirë: hetimin e 13 aksidenteve të trafikut me dëme materiale, hetimin e 16 aksidenteve të trafikut me persona të lënduar, shqiptimin e 75 gjobave ndaj mjeteve të rënda, për shkelje si përdorimi i tahografit, ngarkesa e tepërt ose pa mbulesë, si dhe mungesa e kontrollit teknik, vendosjen e masës së ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 40 ngasës.

Me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në rrugë, njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan kanë vazhduar edhe këtë javë me aktivitete vetëdijësuese, përfshirë ligjërata edukative me nxënës të shkollave.

Policia u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, duke theksuar se siguria në trafikun rrugor është përgjegjësi e përbashkët, me synim uljen e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve.

 

Shpërndaj me të tjerët