Policia e Gjilanit mëson fëmijët si të jenë të sigurt në rrugë

 

Në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm për edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve rreth çështjeve të sigurisë, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti i Sektorit dhe ai i Policisë në Komunitet nga Stacioni Policor në Gjilan, ka zhvilluar një aktivitet edukues me fëmijët pjesëmarrës në kampin veror të “Future School”.

Ligjërata është mbajtur me fëmijë të moshave nga 4 deri në 12 vjeç, ku në mënyrë të afërt dhe miqësore, zyrtarët policorë i kanë njohur të vegjlit me rolin e policisë në shoqëri, me rregullat e trafikut dhe rëndësinë e respektimit të tyre për një lëvizje të sigurt.

Përmes lojërave, ilustrimeve dhe metodave interaktive, fëmijët janë angazhuar aktivisht duke bërë pyetje, treguar përvojat e tyre dhe mësuar mënyrat se si të sillen me kujdes në rrugë, si këmbësorë apo si pasagjerë.

Ky aktivitet është pjesë e strategjisë së Policisë për të qenë sa më afër qytetarëve, veçanërisht të rinjve, në mënyrë që edukimi për sigurinë të fillojë që në moshën e hershme.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan shpreh përkushtimin për të përkrahur çdo iniciativë që ndihmon në edukimin, mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve në komunitet, duke theksuar se siguria është përgjegjësi e përbashkët.

 

Shpërndaj me të tjerët