Gjatë periudhës 3–9 tetor 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka realizuar një sërë aktivitetesh në kuadër të planeve për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas raportit javor, njësitë policore kanë shqiptuar 1,616 gjoba, ndërsa janë hetuar 24 aksidente trafiku, një me pasoja fatale, 11 me të lënduar dhe 12 me dëme materiale. Po ashtu, 36 drejtues mjetesh janë ndaluar për shkak të shkeljeve të rënda.
Krahas këtyre veprimeve, Policia e Gjilanit ka zhvilluar aktivitete edukative në disa shkolla fillore të rajonit, në kuadër të projektit “Siguria e nxënësve dhe familjarizimi i tyre me komunikacion”, me qëllim ngritjen e vetëdijes së fëmijëve për rregullat e qarkullimit rrugor.
Policia ka paralajmëruar se fushatat sensibilizuese dhe kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe në javët në vijim për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë publike.
