Policia e Kosovës shënon 26-vjetorin e themelimit, aktivitete edhe në Gjilan

 

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes njësive të policisë në komunitet, ka shënuar sot (5 shtator 2025) 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës me aktivitete të ndryshme në qytet dhe rrethinë.

Në këtë kuadër, policët kanë shpërndarë rekuizita me logon e Policisë së Kosovës në disa pjesë të Gjilanit, në shkollën fillore të ulët “Thimi Mitko”, në kopshte dhe në shkollat e tjera të komunës.

Qytetarë të shumtë, nxënës dhe arsimtarë kanë përshëndetur këtë aktivitet, duke shprehur mirënjohje dhe urime për ditën e themelimit të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, në vigjilje të kësaj dite, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan dhe stacionet policore kanë pritur vizitorë të shumtë, nxënës, staf arsimor, përfaqësues komunalë dhe qytetarë,  të cilët patën rastin të vizitojnë ambientet e punës dhe të njihen më afër me detyrat dhe aktivitetet e përditshme të policisë.

Policia e Kosovës thekson se me krenari feston 26 vite nga themelimi i saj, duke qëndruar gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike.

 

 

Shpërndaj me të tjerët