Policia në Gjilan shqiptoi mbi 1600 gjoba gjatë një jave

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë periudhës 23–29 janar 2026, në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë në trafik, janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 638 gjoba ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit.

Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë hetuar tetë aksidente trafiku me dëme materiale dhe katërmbëdhjetë aksidente me persona të lënduar.

Krahas kësaj, janë ndërmarrë edhe masa të tjera ndëshkuese, përfshirë 49 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 48 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, si dhe 39 gjoba për modifikime të palejuara të automjeteve.

Po ashtu, ndaj 39 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në kushte të motit me shi dhe mjegull.

Nga Policia kërkohet që drejtuesit e mjeteve të kontrollojnë funksionimin e dritave, të mbajnë distancë të sigurt, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara në terren, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Shpërndaj me të tjerët