Policia e Gjilanit shqipton 1,143 gjoba brenda një jave, bilanc alarmues nga trafiku Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka publikuar raportin javor të aktiviteteve në trafikun rrugor për periudhën 28 nëntor – 4 dhjetor 2025, ku theksohet një numër i lartë masash ndëshkuese dhe aksidentesh.
Gjatë kësaj periudhe, Policia ka shqiptuar gjithsej 1,143 gjoba, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik.
Po ashtu, janë zhvilluar këto aktivitete: 11 aksidente me dëme materiale, 10 aksidente me të lënduar, 35 masa ndalim-drejtimi për ngasësit e mjeteve motorike.
Policia apelon fuqishëm tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat rrugore, të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë ngasjes, të vendosin rripin e sigurimit dhe të kenë kujdes ndaj këmbësorëve.
“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Ndihmoni në uljen e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës!”, thuhet në apelin e Policisë së Gjilanit.

