Presheva së shpejti do të bëhet me një Muze dhe një Shkollë të Muzikës, falë një Memorandumi Bashkëpunimi mes Komunës së Preshevës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, me mbështetje financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e kryetares së komunës, Ardita Sinani, e cila ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin kulturor dhe identitar të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Ky projekt nuk është vetëm ndërtim fizik, por ndërtim i kujtesës kombëtare, dinjitetit kolektiv dhe shpresës për të ardhmen,” thuhet në njoftim.
Ndërtimi dhe funksionalizimi i dy institucioneve publike kulturore përbën një hap të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar në këtë rajon, duke krijuar hapësira të dedikuara për edukim artistik dhe trashëgimi historike.
“Përkrahja e Republikës së Kosovës është për ne më shumë se financiare, është përkrahje vëllazërore dhe kombëtare që na jep kurajo se Lugina nuk është e harruar,” është theksuar më tej.
Memorandumi dëshmon se bashkëpunimi institucional, i udhëhequr nga vizioni dhe vullneti i përbashkët, mund të tejkalojë çdo pengesë. “Dhe kjo është vetëm fillimi,” thuhet në fund të deklaratës.