Presidenti i klubit rumun FCSB, Gigi Becali, ka nxitur reagime të shumta me deklaratat e tij të fundit lidhur me vizitën e skuadrës së tij në Kosovë, ku nesër përballet me KF Drita në ndeshjen e parë të raundit të tretë të kualifikimeve për Ligën e Evropës.
Në një paraqitje televizive në emisionin “Fanatik Superliga”, Becali tha se do të marrë rreth 20 truproja për të mbrojtur ekipin e tij në Kosovë, duke aluduar në një “situatë të pasigurt në vend”, shkruan Insajder.
“Më kanë thënë që atje ka dhunë. Kam dëgjuar për kërcënime. Nuk dua të them shumë, nuk dua t’i fyej ata, por kështu është më mirë”, tha ai.
Deklarata e tij është cilësuar si e papërgjegjshme dhe fyese, sidomos kur dihet që Kosova është vend mikpritës dhe garanton siguri të plotë për të gjitha ekipet sportive.
Ky nuk është rasti i parë që presidenti i klubit rumun përdor tone provokuese ndaj klubeve shqiptare. Më herët, pas eliminimit nga Shkëndija e Tetovës, ai pati deklarata nënçmuese edhe për ta.
Një tjetër moment që shkaktoi reagime ishte kur moderatori i emisionit i shpjegoi se “Drita” në shqip do të thotë dritë, e në vend të një komenti sportiv, Becali tha:
“Vetëm një person mund të jetë dritë”, duke aluduar për figurën e Jezu Krishtit.
Ndeshja mes Dritës dhe FCSB-së luhet nesër, ndërsa ajo e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Prishtinë.