Procesi i numërimit të votave në Gjilan ka hyrë në ditën e dytë, pas fillimit të tij dje, dhe sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shumë shpejt priten rezultatet e para zyrtare për kryetarin e komunës.
Numërimi po zhvillohet me intensitet të lartë në Qendrën Komunale të Numërimit, ndërsa Gjilani është një nga komunat ku gara ka ngjallur interesim të madh nga qytetarët.
Sipas njoftimit të KQZ-së, procesi vazhdon edhe në komunat: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prizren, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.
Në Hanin e Elezit, procesi i numërimit dhe verifikimit përfundoi të hënën në mbrëmje.
Deri tani, nga 250 vendvotime (përkatësisht 500 kuti votimi), janë:
verifikuar rezultatet për kryetarët e komunave,v erifikuar rezultatet e subjekteve politike për kuvendet komunale, numëruar votat për anëtarët e kuvendeve komunale.
KQZ konfirmon se platforma e rezultateve funksionon pa probleme, ndërsa procesi po zhvillohet nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot, numërimi ende nuk ka nisur për shkak të problemeve teknike me internetin, që po pengojnë transmetimin për vëzhguesit.
Ekipet teknike po punojnë për zgjidhjen e shpejtë të situatës.
KQZ ka bërë të ditur se publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të ri.
