ProCoders Center feston 10-vjetorin me trajnim falas në AI

 

Qendra për Edukim në Teknologji ProCoders Center nw Gjilan po shënon 10-vjetorin e themelimit, duke e festuar këtë përvjetor të rëndësishëm me një iniciativë të veçantë për komunitetin.

Me këtë rast, themeluesi dhe udhëheqësi i qendrës, Ramiz Kastrati, ka njoftuar se do të ofrojë një trajnim falas në Inteligjencë Artificiale (AI) me kohëzgjatje prej 10 orësh, për të gjithë miqtë dhe ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook.

Ky trajnim, sipas Kastratit, është një formë falënderimi për mbështetjen dhe besimin e treguar gjatë gjithë këtyre viteve, që nga hapat e parë të ProCoders Center e deri më sot.

“Ky është një falënderim për të gjithë ju që më keni përcjellë në këtë rrugëtim 10-vjeçar në biznes, edhe atëherë kur ndoshta ju kam ‘bezdisur’ me postime, njoftime e aktivitete. Mbështetja juaj ka qenë motivim i vazhdueshëm”, ka theksuar ai.

ProCoders Center tashmë është shndërruar në një nga qendrat e njohura për edukim teknologjik, duke ofruar trajnime profesionale në fusha të ndryshme të teknologjisë informative dhe zhvillimit digjital.

Në fund, Kastrati ka falënderuar të gjithë për besimin dhe respektin e treguar ndër vite, duke premtuar vazhdim të punës me përkushtim dhe risi të reja në fushën e teknologjisë.

 

Shpërndaj me të tjerët