Profesor Dr. Enver Hamiti, shembull i dijes dhe përkushtimit shkencor

Fillimet e një talenti të rrallë

Prof. Enver Hamiti i kreu shkollën fillore dhe të mesme në Gjilan, ku spikati si nxënës i dalluar në të gjitha lëndët dhe u njoh për talentin e tij të jashtëzakonshëm në matematikë dhe shkenca të sakta.

Dashuria për numrat dhe logjikën inxhinierike e orientoi drejt Fakultetit të Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, ku shkëlqeu si një nga studentët më të suksesshëm në historinë e tij.

Me mesataren rekorde 9.65, ai u vlerësua si një nga mendjet më të ndritura dhe më të plota akademikisht të gjeneratës së vet.

Pas përfundimit të studimeve universitare, ai u pranua si profesor në Fakultetin e Elektroteknikës, gjë që shënoi edhe zhvendosjen e tij në Prishtinë, qyteti ku jeton dhe vepron edhe sot.

Rrugëtimi akademik

Në vitin 1992 filloi punën si asistent në Fakultetin e Elektroteknikës, në një periudhë të vështirë për arsimin kosovar.

Përkushtimi i tij për studentët dhe pasioni për dije e bënë shpejt të njihet dhe respektohet nga kolegët dhe gjeneratat e tëra të studentëve.

Për një periudhë dha mësim edhe në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, duke frymëzuar shumë të rinj drejt shkencave teknike.

Magjistratura dhe doktoratura, suksese ndërkombëtare


Në vitin 1999 përfundoi magjistraturën me një temë të avancuar mbi analizën e linjave planare.

Studimet e doktoratës i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, duke mbrojtur publikisht në vitin 2006 tezën me titullin “Projektimi kompjuterik i vargut të antenave mikroshiritore të stacioneve bazë transmetuese”.

Këtë punim e udhëhoqi Prof. Dr. Abdel R. Sebak nga Universiteti Concordia në Montreal, Kanada, në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Tema u mbrojt në gjuhën angleze dhe para një komisioni prestigjioz kanadez.

Ky ishte një moment i rëndësishëm për shkencën kosovare, pasi përmes tij u soll në vend dije të përmasave globale në fushën e antenave dhe telekomunikimeve, duke ngritur nivelin e kërkimeve shkencore dhe duke hapur horizonte të reja për inxhinierinë moderne.

Udhëheqës dhe reformator

Prof. Hamiti ka mbajtur pozita udhëheqëse në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike për dy dekada, fillimisht si prodekan dhe më pas si dekan.

Gjatë kësaj periudhe ai udhëhoqi modernizimin e kurrikulave, ngritjen e laboratorëve, forcimin e lidhjeve me industrinë dhe integrimin e fakultetit në projekte ndërkombëtare, duke e bërë atë një qendër të dijes dhe kërkimit shkencor në rajon.

Kontributi shkencor

Me mbi 70 punime të publikuara në revista dhe konferenca prestigjioze të indeksuara në Web of Science dhe SCOPUS, Prof. Hamiti ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e telekomunikimeve, antenave, rrezatimit elektromagnetik dhe aplikimeve të inteligjencës artificiale në inxhinieri.

Punimet e tij citojnë vazhdimisht kolegë ndërkombëtarë, duke dëshmuar vlerën e lartë shkencore.

Vlerësimi më i lartë, anëtar i ASHAK

Zgjedhja si anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) është një njohje e lartë për veprën e tij akademike, duke reflektuar kontributin e tij për arsimin dhe shkencën në Kosovë.

Mesazhi për të rinjtë

Me thjeshtësi dhe përkushtim, Prof. Hamiti përcjell mesazhin:

“Mos mësoni vetëm për notë, por për dije të vërtetë. Nota është e përkohshme, ndërsa njohuria mbetet përgjithmonë. Ajo merr kuptim vetëm kur e përdorni për të mirën e shoqërisë, kur bëheni pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe jo pjesë e tyre. Investoni në punë të palodhur, në ndershmëri dhe përgjegjësi, sepse vetëm kështu dijet e fituara do të kthehen në vlera të qëndrueshme për ju dhe për vendin.”

Sot, si profesor i rregullt universitar, ai njihet për parimet e palëkundura, qëndrimin vertikal e të pathyeshëm, si dhe seriozitetin dhe kërkimin e pandalur shkencor.

Lexues i përhershëm, kërkues i paepur, orator i shkathët dhe shkrues i përpiktë në drejtshkrim.

Prof. Hamiti përfaqëson modelin e një akademiku të plotë, i cili me integritet dhe dijen e tij ka ndikuar fuqishëm në ngritjen e brezave të rinj dhe avancimin e shkencës në Kosovë.

 

Shpërndaj me të tjerët